Kryetari i partisë Demokratike, Sali Berisha, teksa mblodhi sot Grupin parlamentar, shpalosi edhe strategjinë e opozitës, duke akuzuar qeverinë dhe mazhorancën për skandalet më të mëdha korruptive dhe aferat që kanë mbërthyer vendin.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se është i përfshirë direkt në dy dosjet e SPAK, me Belinda Ballukun dhe AKSHI-n, teksa nënvizoi se ka edhe përfshirje familjare. Ai theksoi se Rama do ishte i gatshëm që t’u hidhte edhe vaj të nxehtë në vesh Ballukut dhe Lindave të tij, po ta dinte se do të shpëtonte.
Por shtoi se në dosje, “dy në tre rreshta janë për Ramën”, ka prova dhe përgjime që e implikojnë, aq sa tani është zënë në çark.
“Në dosjen e Lubi Ballukut, në tre rrjeshta, 2 janë për Edi Ramën. Pra, Lubia nuk pranon në mënyrë kategorike dhe i thotë je ti, e unë jam mbrapa! E vërteta është të themi atë që është. Nuk ka më hajdute se ajo, por ky është më hajdut. Dhe tani që dosja në tre rrjeshta dy i ka për Ramën, ai nuk pranon kurrsesi, ta dërgojë atë në bandën e akuzës. Mbyll Parlamentin, cenon Kushtetutën, krijon çdo lloj konflikti dhe pushtetin nuk e dorëzon, nuk e dorëzon. Ai e di, ka nisur betejën me Kushtetutën, më të egrën, më të rrezikshme, kundër shqiptarëve”, tha kreu i selisë blu.
Më tej Berisha vuri në dukje shkallën e implikimit të kryeministrit që sipas tij ka kaluar vijën e kuqe. Gjithashtu akuzoi se bashkë me familjarët, ballukun dhe Lindat, Rama çon miliona euro në Surrel.

Berisha ngriti edhe tezën se Rama do ishte gati të bënte gjithçka për të shpëtuar, por nuk e arrin dot sepse e di që është i përfshirë në të dyja dosjet.
“Pra, është në çark, është në rreth të kuq, se ai po të mos ishte vetë personalisht, as për Lindën e Stërlinden, as për Lubinë, ishte i gatshëm të bënte çdo gjë. Nuk shpëton dot se janë video, dokumente, dëshmi, dëshmi të të penduarve të drejtësisë dhe të tjera. Po, në të dy dosjet, në të dy dosjet, e dinë ata. Ndaj dhe i them këto që shqiptarët t’i kenë të qarta, se çfarë rreziku përbën ky i papërgjegjshëm, kreu i organizatës kriminale, për Shqipërinë dhe vendin. U kap në çark, nuk ka më, po mbron veten. Edhe vaj të nxehtë në vesh do i hidhte në mes të natës po ta dinte se shpëtonte, por nuk shpëton dot, e di ai. Thonë se aludoj, por jo, nuk aludoj, është ai, i akuzuar edhe për krime, po, ndaj e them këtë, që shqiptarët ta dinë se si është ai, çfarë rreziku paraqet. A i keni parë socialistët, Rilindasit. Të gjithë kanë marrë fytyrën e Belinda Ballukut, u ka ikur fytyra, po, po, u ka ikur fytyra”, vijoi ai.





