Nga Dr. Bledar Kurti
Në çdo epokë, liria ka qenë një fjalë e madhe, shpesh e keqpërdorur, herë e idealizuar e herë e sakrifikuar në emër të progresit. Por në ditët e sotme, liria nuk është më vetëm një ideal abstrakt apo një parullë politike: ajo është një provë dhe sfidë e përditshme morale, kulturore dhe qytetare.
Liria e individit, e besimit, e fjalës dhe e jetës po vihet nën presion në mënyra më të rafinuara se kurrë më parë, shpesh jo nga tirani e hapur, por nga konsensuse të buta, frikë kolektive dhe mekanizma të padukshëm kontrolli.
Isaiah Berlin, në esenë e tij të njohur mbi dy konceptet e lirisë, dallonte mes lirisë negative (mungesës së ndërhyrjes) dhe lirisë pozitive (aftësisë për të qenë padron i vetvetes) Shoqëritë moderne shpesh pretendojnë se po rrisin lirinë pozitive, ndërkohë që ngushtojnë lirinë negative: individi “ndihmohet” të mendojë, të flasë dhe të jetojë “siç duhet”. Ky tension është bërë thelbësor në demokracitë bashkëkohore, ku kufizimet nuk justifikohen më nga dhuna, por nga morali publik, teknokracia apo “e mira e përbashkët”.
Liria e individit është themeli mbi të cilin ndërtohet çdo rend demokratik. John Locke e shihte individin si mbajtës të të drejtave natyrore, jetës, lirisë dhe pronës, të cilat shteti ekziston për t’i mbrojtur, jo për t’i dhënë. Kur ky raport përmbyset, dhe shteti apo shoqëria fillon të përcaktojë se cilat liri janë të pranueshme dhe cilat jo, atëherë nuk kemi më qytetarë, por subjekte të kushtëzuara. Në një botë ku identiteti, mendimi dhe zgjedhjet personale kalojnë nëpër filtra ideologjikë dhe algoritmikë, liria individuale rrezikon të reduktohet në një iluzion formal.
Një nga fushat më të ndjeshme të këtij tensioni është liria e besimit. Historikisht, besimi ka qenë një akt intim, një marrëdhënie mes ndërgjegjes dhe transcendentes. Voltaire, edhe pse kritik i institucioneve fetare, mbronte me forcë tolerancën fetare si shenjë të qytetërimit. Sot, paradoksalisht, liria e besimit sfidohet jo vetëm nga sekularizmi agresiv, por edhe nga instrumentalizimi politik i fesë. Në disa raste, besimi shtypet në emër të neutralitetit; në të tjera, përdoret si mjet kontrolli. Të dyja këto qasje e mohojnë thelbin e lirisë së ndërgjegjes: të drejtën për të besuar, për të mos besuar, dhe për ta jetuar këtë zgjedhje pa frikë.
Sot persekutimi fetar është më i përhapur gjeografikisht dhe më i maskuar se kurrë më parë. Persekutimi fetar sot është më i sofistikua dhe më i vështirë për t’u identifikuar. Dhe pikërisht për këtë arsye, ai është më i rrezikshëm për shoqëritë që mendojnë se e kanë kapërcyer këtë problem.
Po aq thelbësore është liria e fjalës, e cila, siç theksonte John Stuart Mill, nuk është e rëndësishme vetëm për mendimet e shëndetshme, por sidomos për ato që gabojnë ose kundërshtojnë shumicën. Një shoqëri që censuron mendimin ndryshe, edhe nëse e bën këtë në emër të ndjeshmërisë apo mbrojtjes nga “dëmi”, rrezikon të humbasë aftësinë për të menduar kritikisht. Hannah Arendt na kujtonte se rreziku më i madh për lirinë nuk është propaganda brutale, por banaliteti i së keqes: momenti kur njerëzit pushojnë së menduari dhe thjesht përsërisin narrativën dominuese.
Në epokën digjitale, liria e fjalës nuk shtypet gjithmonë nga privimi, por nga mbingarkesa, etiketimi dhe frika e përjashtimit. Alexis de Tocqueville paralajmëronte për “tirania e shumicës”, ku presioni shoqëror mund të jetë po aq shtypës sa ligji. Sot, kjo tirani shpesh manifestohet në hapësirat virtuale, ku reputacionet shkatërrohen dhe debatet zëvendësohen nga linçime morale. Liria për të folur ekziston formalisht, por kostoja e saj rritet çdo ditë.
Në themel të të gjitha këtyre lirive qëndron liria e jetës – jo vetëm si mbijetesë biologjike, por si mundësi për të jetuar me dinjitet dhe kuptim. Immanuel Kant e shihte njeriun si qëllim në vetvete, jo si mjet. Kur jeta reduktohet në statistikë, në rrezik për t’u menaxhuar apo në funksion ekonomik, dinjiteti njerëzor vihet në pikëpyetje. Politikat që pretendojnë të mbrojnë jetën, por shpërfillin autonominë, dinjitetin dhe marrëdhëniet njerëzore, rrezikojnë të prodhojnë një shoqëri të sigurt, por jo të lirë.
Vaclav Havel, në reflektimet e tij mbi jetën nën totalitarizëm, fliste për “jetesën në të vërtetën” si akt rezistence. Ky koncept mbetet aktual: liria nuk është vetëm një e drejtë që na jepet, por një përgjegjësi që ushtrohet. Ajo kërkon guxim për të menduar, për të folur dhe për të jetuar ndryshe, edhe kur kjo është e pakëndshme.
Në përfundim, rëndësia e lirisë sot qëndron pikërisht në brishtësinë e saj. Ajo nuk humbet gjithmonë me një akt të vetëm, por me mijëra kompromise të vogla, të justifikuara dhe të normalizuara. Të mbrosh lirinë e individit, të besimit, të fjalës dhe të jetës nuk do të thotë të mohosh përgjegjësinë kolektive, por të refuzosh idenë se dinjiteti njerëzor mund të negociohet. Nëse liria ka një mësim për kohën tonë, ai është ky: pa individë të lirë, nuk ka shoqëri të drejtë; dhe pa guximin për ta mbrojtur lirinë, ajo pushon së qeni reale.





