Sot pritet të zhvillohet seanca paraprake në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe të pandehurve të tjerë. Seanca do të zhvillohet në orën 11:30 kur Gjykata e Posaçme të dëgjojë mbrojtjen ndaj akuzave të SPAK për tre të hetuarit e fundit, përfshirë kryebashkiakun Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa.

Më pas pritet të merret një vendim për kalimin ose jo në gjyq themeli të dosjes.

Seanca e kaluar u shty për shkak të mungesës së Erion Veliajt. Avokatët e tij thanë para Gjykatës së Posaçme se Veliaj donte të ishte i pranishëm dhe kishte pritur prej mëngjesit furgonin e shoqërimit në ambientet e paraburgimit të Durrësit.

Ky i fundit ka shkuar pak minuta para orës 9:00, teksa seanca ishte planifikuar të niste në orën 9:00, kur edhe u bë apeli për prezencën e palëve. Mungesa e Veliajt pa një deklaratë për vullnetin e tij nëse do të ishte apo jo i pranishëm e bënte të pamundur vijimin e seancës.

Por pretendimet e ngritura nga avokatët se nuk është shoqëruar në ambientet e gjykatës u mohuan nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, që i cilësoi si të pavërteta.