Prej një jave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po kryhet rinumërimi i votave nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Këtij procesi i janë nënshtruar 914 vendvotime në gjithë Kosovën pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nga verifikimi vërejti se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk pasqyrojnë numrin e votave të kandidatëve të evidentuara në fletëvotime.

Kur janë rinumëruar 556 vendvotime diferenca është e thellë në votat e kandidatëve për deputetë.

Kësaj liste i prin Fetah Paçarizi i Partisë Demokratike të Kosovës, ku pas procesit të rinumërimit del se ka mbi 6 mijë vota më shumë se sa që ka marrë realisht.

Pas tij është Nait Hasani po ashtu i PDK-së, që ka marrë mbi tre mijë vota fiktive. Mbi dy mijë vota, pas rinumërimit del se u janë shtuar edhe Kujtim Gashi e Luljeta Veselaj Gutajt.

Mospërputhje të votave janë vërejtur edhe te kandidatët për deputetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Xhavit Uka pas rinumërimit del se do të ketë 1596 vota më pak për shkak të manipulimit, mbi një mijë më pak vota do t’i ketë edhe Driton Selmanaj. Anton Qunit do t’i hiqen rreth 500 vota e Visar Azemit mbi 400, pasi rezulton se nuk janë reale.

Nga Lëvizja Vetëvendosje, deri në këtë fazë të rinumërimit del se kandidatit Arbër Rexhaj, gjatë numërimit i janë shtuar mbi 600 votë që në të vërtetë nuk i kishte marrë. Rea Krasniqi e listës së kësaj partie ka një diferencë prej 500 votash mes dy proceseve e mbi 400 vota janë manipuluar edhe për Dafina Alishanin e Valon Ramadanin.

Bazuar në rinumërimin e deritanishëm, listës së kandidatëve të PDK-së i janë shtuar mbi 19 mijë vota, të cilat nuk i kanë marrë nga qytetarët. Te LDK-ja, dallimi është mbi 4 mijë e 500 vota e te LVV-ja mbi tre mijë vota

Mospërputhja më e madhe e votave është evidentuar në komunën e Prizrenit dhe për këtë, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të kësaj komune, Petrit Kryeziu ka bërë të ditur se ka autorizuar Policinë e Kosovës për të identifikuar personat përgjegjës, të sigurojë prova duke përfshirë edhe nënshkrimet e tyre.

Procesit të rinumërimit i janë nënshtruar 914 vendvotimeve që i takojnë të gjitha komunave të Republikës së Kosovës. Në 10 komuna do të rinumërohen 100% të vendvotimeve e në 28 komunat tjera, do të rinumërohen nga 10% e vendvotimeve.

Mospërputhjet janë vërejtur brenda listave zgjedhore dhe jo te votat e partive. Megjithatë, kjo ka cenuar integritetin e procesit zgjedhor, për çka po kërkohet që të ketë rinumërim të plotë.