Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për tetë të arrestuarit lidhur me aksionin e SPAK-ut ndaj call-center-ave mashtruese në kryeqytet.
Për dy nga të arrestuarit, është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, me një afat prej 20 ditësh.
R.Gj. – arrest në burg
E.Gj. – arrest në burg
D.Q. – arrest në burg
E.M. – arreat në burg
H.Xh. – arrest në burg
K.K. – arrest në burg
R.P. – arrest në burg me afat 20 ditë
O.K. – arrest në burg me afat 20 ditë
“Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Flojera Davidhi, me vendimin e datës 19.01.2026, vendosi:
Pranimin e pjesshëm të kërkesave së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Vleftësimin si të ligjshëm të ndalimit të personave nën hetim Klaudio Kaçupi dhe Hysen Xhebexhiu.
Vleftësimin si të ligjshëm të arrestimit në flagrancë të personave nën hetim Endri Gjata, Remir Gjoligaj, Elis Merkaj, David Qerimi, Rentjan Peposhi dhe Odeas Kuqi.
Të caktojë si masë sigurimi personale me karakter shtëngues “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, për personat nën hetim Klaudio Kaçupi, Hysen Xhebexhiu, Endri Gjata, Remir Gjologaj, Elis Merkaj dhe David Qerimi.
Të caktojë si masë sigurimi personale me karakter shtëngues “arrest në burg”, me afat 20 (njëzet) ditor, parashikuar nga neni 238 dhe neni 245, pika 1, shkronja “d” të K.Pr.Penale, për personat nën hetim Rentjan Peposhi dhe Odeas Kuqi”, njofton GJKKO-ja.
Sakaq, vijon puna për gjetjen e tre të tjerëve të shpallur në kërkim.
Operacioni i SPAK-ut
Ata akuzohen se në dy ambiente në katin e nëntë dhe të 13 në një ndërtesë në qendër të Tiranës, përballë katedrales ortodokse, kanë mashtruar shtetas italian dhe evropianë për investime në kriptomonedha.
Kanë qenë gazetarët e emisionit investigativ italian “Le Iene” të cilët kanë dorëzuar në SPAK materiale të punës së tyre që ndihmuan në zbulimin e kësaj veprimtarie.
Sipas njoftimit të SPAK puna ishte e mirë organizuar me poste pune të ndara, role të përcaktuara dhe staf që operonte në gjuhën italiane, franceze, spanjolle dhe gjermane. Organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale kishin ngritur një strukturë të sofistikuar sigurie, duke përdorur jo vetëm kamerat, por edhe personel vëzhgimi, jashtë kësaj Qendre.
Për dy ditë me radhë SPAK gjurmoi në qendër të kryeqytetit organizatorët e aktivitetit mashtrues, pasi lëviznin ambientet për të mos u kapur.
“Mbrëmjen e datës 15 Janarit pjesëtarë të këtij personeli vëzhgues, kanë njoftuar pronarët e Qendrës për një ndërhyrje të mundshme dhe me 16 janar në orët e para të mëngjesit janë larguar pajisjet dhe është boshatisur edhe ambienti i Qendrës së Thirrjeve. Nga verifikimet e shpejta u identifikuan personat dhe automjetet e përdorura për largimin e pajisjeve kompjuterike dhe sistemeve nga Call Center-i. Pas gjurmimit të tyre, në një kohë të shkurtër, u realizua kapja në flagrancë e disa shtetasve, të cilët kishin transportuar gjatë natës materiale drejt një ambient tjetër të marrë me qira”, njoftoi SPAK më 18 janar 2026.
Në katin e pestë të objektit tjetër në qendër të Tiranës u zbulua një tjetër call center ne ndërtim e sipër.
Aty u gjetën pajisje kompjuterike, telefona, hard disqe, laptopë, karta SIM, dokumente, dhe blloqe me shënime. Personat e kapur në flagrancë, po transportonin një kosh mbeturinash, brenda së cilit kishte sende nga call-center-i tjetër, të cilat ishin duke i asgjësuar.
Me urdhër të SPAK u kontrolluan 28 ambiente, përfshirë banesa, automjete, zyra dhe garazhe, në të cilat u sekuestruan kompjutera, kamera sigurie, sistem rrjeti kompjuterik servera, dhe automjete të ndryshme.





