Agjencia e Prokurimit Publik (APP) u ka kujtuar autoriteteve kontraktore se çdo 6 muaj duhet të raportojnë procedurat që janë në formën e ankandit publik.
Kjo Agjenci ka nënvizuar se detyrimi rrjedh nga neni 7 i Ligjit Nr. 9874, datë 14.02.2008 “Për ankandin publik”, të ndryshuar ku mbikëqyrja e zbatimit të procedurave të shitjes me ankand bëhet nga Agjencia e Prokurimit Publik(APP).
Kjo e fundit verifikon zbatimin procedurave të ankandeve, pas nënshkrimit të kontratës në përputhje me këtë ligj dhe me akte të tjera të dala në zbatim të tij, duke u kërkuar autoriteteve shitëse të gjithë informacionin e nevojshëm.
“Në pikën 4, të nenit 6 të LAP, parashikohet se: “Autoriteti shitës, çdo 6 muaj, duhet të dorëzojë në Agjencinë e Prokurimit Publik një raport për veprimtaritë e tij të ankandit”.
Referuar përcaktimit në dispozitën e sipërcituar, APP sjell në vëmendje të autoriteteve shitëse detyrimin për të raportuar çdo 6 muaj, mbi veprimtarinë e ankandeve të zhvilluara.
Në të Autoritetet shitëse duhet të raportojnë vetëm për procedura, objekti, i të cilave përfshihet fushën e zbatimit të LAP, si dhe procedura objekti i të cilave është i përcaktuar me ligj veçantë, por që procedura e ankandit zhvillohet sipas përcaktimeve të LAP (neni 4, pika 1, gërma “d” e LAP)” thuhet në shkresën e APP.
Kjo e fundit nënvizon se cilat janë detajet që duhet të përmbajë raporimi standard që bëjnë institucionet për ankandet publike. Kështu ë dhënat duhet të kenë të përfshirë:
– objektin e procedurës së ankandit; llojin e procedurës së ankandit dhe përcaktimin e numrit të loteve (në rastet kur procedura është e ndarë në lote);
– vlerën fillestare të ankandit;
– datën e zhvillimit të procedurës:
– datën e nënshkrimit të kontratës (për rastet kur procedura është finalizuar me kontratë të nënshkruar);
– vlerën e kontratës së nënshkruar (për rastet kur procedura është finalizuar me kontratë nënshkruar);
– arsyen e anulimit të procedurës (për rastet kur procedura anulohet).





