Policia e Tiranës ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me masat e marra për protestën kombëtare të njoftuar nga Partia Demokratike për ditën e shtunë, më 24 janar, në orën 17:00.
Sipas njoftimit, përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë informuar Policinë e Tiranës për këtë aktivitet. Në bazë të ligjit “Për tubimet”, Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik, zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në tubime, si dhe për mbrojtjen e pronës publike dhe private.
Duke marrë shkas nga disa deklarata publike, Policia i bën thirrje qytetarëve që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundraligjshme që cënojnë rendin dhe sigurinë publike.
Në zbatim të këtyre masave, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit, ditën e premte dhe të shtunë do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:
“Nga ora 23:45, të ditës së sotme, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve deri në përfundim të tubimit në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”,
Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim”, njofton Policia e Tiranës.





