Në një moment vendimtar për fatin europian, Gjermania i jep dritën jeshile Shqipërisë për anëtarësimin në BE. Në vizitën e tij në Tiranë, Ministri i jashtëm dhe për Europën i Gjermanisë, Gynter Krishbaum bëri të qartë se Shqipëria ka mbështetjen e plotë të Berlinit Zyrtar.

“Ne duam ta shohim Shqipërinë në Bashkimin Evropian jemi njëkohësisht mik, mbështetës dhe kritik në rrugën e saj drejt BE-së. Ne shohim potencialin tejet të madh dhe përpjekjet e Shqipërisë për reforma, por edhe sfidat kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare në procesin e anëtarësimit në BE”, tha Krichbaum.

Këtë të premte, Krishbaum zhvilloi takime me kryeministrin Edi Rama, kreun e SPAK Klodjan Braho dhe eksponentë të mazhorancës dhe opozitës. Shqipëria është në pritje të mbylljes së grupkapitujve, ndaj Krishbaum nënvizoi se reformat duhet të vijojnë pa humbur kohë, si ato politike edhe në drejtësi.

“Shqipëria gjendet aktualisht në një moment vendimtar: rruga e nisur në drejtim të BE-së  duhet të çohet përpara me vendosmëri, duke zbatuar në këtë kontekst në mënyrë të vendosur reformat e radhës, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës, dhe  luftën e palëkundur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, shtoi Krichbaum.

Edhe në këtë vizitë, Ministri Gynther Krishbaum e shmangu Sali Berishën. Armiku i vjetër i kreut të PD, dikur e shpalli non grata për së dyti në emër të CDU, por sigurisht për Berishën atëherë edhe Krishbaum ishte mik i Lulzim Bashës.