Policia njofton sot se për shkak të rikonstruksionit të Burgut të Fushë-Krujës, ka nisur procesi i transferimit të të burgosurve drejt institucioneve të tjera të vuajtjes së dënimit. Sipas të dhënave zyrtare, janë transferuar gjithsej 142 të burgosur, nga të cilët 85 për në burgun e Peqinit dhe 57 për në burgun e Durrësit.
“Transferimet u bënë në zbatim të Planit të Masave nr. 1261, të gjitha veprimet janë ndërmarrë në përputhje me aktet ligjore dhe rregulloret në fuqi, duke garantuar sigurinë e të burgosurve dhe forcave operacionale”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Për realizimin e këtij procesi janë marrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen dhe shoqërimin e të burgosurve nga forcat operative, nën drejtimin e specialistëve përkatës. Po ashtu, për lëvizjen janë njoftuar Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan dhe komisariatet përkatëse, sipas itinerarit të përcaktuar.
Autokolona me 57 të burgosur ka mbërritur pa probleme në IEVP Durrës, ku janë zbatuar të gjitha procedurat e pritjes, kontrollit dhe sistemimit, nën drejtimin e drejtuesve të institucionit. Po ashtu, autokolona me 85 të burgosur ka mbërritur në IEVP Peqin, ku gjithashtu janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për pritjen dhe sistemimin e të burgosurve.
“Në të gjitha fazat e transferimit, veprimet u zhvilluan në mënyrë të qetë dhe të sigurt, duke respektuar protokollet e sigurisë dhe aktet ligjore në fuqi”, shton policia në njoftimin e saj. Procesi është zhvilluar pa asnjë incident dhe në respekt të plotë të të drejtave të të burgosurve.
Rikonstruksioni i institucionit synon të përmirësojë kushtet e punës dhe trajtimit të të dënuarve, duke ofruar një ambient më të sigurt dhe të kontrolluar për të gjithë të burgosurit dhe personelin.





