Për shkak të përkeqësimit të ndjeshëm të kushteve hidrometeorologjike detare, Kapiteneria e Portit Vlorë ka njoftuar ndalimin e lundrimit për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit, për periudhën 24–26 janar 2026.

Pritet që situata e përkeqësuar hidrometeorologjike të prekë zonën brenda dhe jashtë Gjirit të Vlorës, duke filluar nga ora 12:00 e datës 24.01.2026. Era pritet të fryjë me drejtim Jug–Juglindje, me forcë deri në 7–8 ballë (Bft), ndërsa shpejtësia e saj mund të arrijë deri në 25–45 m/s. Lartësia e dallgëve parashikohet të variojë nga 2.50 deri në 4.00 metra, duke krijuar kushte të rrezikshme për lundrim.

“Kapiteneria e Portit Vlorë ka ndaluar pajisjen me leje-nisje të mjeteve të vogla lundruese dhe mjeteve të peshkimit”, thuhet në njoftim. Ndalimi hyn në fuqi nga ora 12:00 e datës 24 janar dhe do të zgjasë deri në orën 06:00 të datës 26.01.2026.

Autoritetet detare u bëjnë thirrje të gjitha subjekteve që operojnë në fushën e detarisë të tregojnë kujdes maksimal dhe të bashkëpunojnë për parandalimin e çdo situate të papritur. “Kërkohet marrja e të gjitha masave të nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazheve në mjetet lundruese”, thuhet më tej në njoftim.

Ndërkohë, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vijojnë operimet normalisht sipas destinacioneve përkatëse, pasi konsiderohen të afta për të përballuar kushtet e parashikuara të motit. Megjithatë, trageti i linjës Vlorë–Brindisi–Vlorë ka anuluar mbërritjen e planifikuar për datën 25.01.2026, për arsye sigurie.

Sipas parashikimeve, përmirësimi i situatës hidrometeorologjike për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit pritet pas orës 06:00 të datës 26 janar 2026. Deri atëherë, autoritetet u bëjnë apel peshkatarëve dhe pronarëve të mjeteve të vogla të respektojnë ndalimin e lundrimit dhe të shmangin daljen në det gjatë motit të keq.