Fillon aventura e Ferrarit për sezonin 2026. Në pistën e Fioranos, “kokëkuqja” hoqi mbulesën nga makina SF-26, njëvendëshja e 72-të e ndërtuar për Formulën 1, e cila shënon fillimin e një epoke teknike krejtësisht të re. Makina është projektuar për t’u përballur me rregulloret e reja që parashikojnë njëvendëshe më të lehta, aerodinamikë tërësisht të rishikuar dhe një gjeneratë të re njësish fuqie, në prag të Çmimit të Madh të parë të sezonit që do të zhvillohet më 8 mars në Australi.

Nga pikëpamja teknike, SF26 përfaqëson një shkëputje të qartë nga e kaluara e afërt: shasia heq dorë nga efekti tokësor, duke adoptuar një filozofi të fokusuar te efikasiteti maksimal dhe ulja e peshës. Loik Serra, drejtori teknik i shasisë, ka shpjeguar kompleksitetin e projektit: “Zhvillimi i SF-26 ka kërkuar përshtatje ndaj një kuadri rregullator plotësisht të ri. I kemi kushtuar shumë kohë fazës konceptuale për të përthithur sa më mirë kontekstin e ri normativ dhe teknik”. Serra theksoi gjithashtu se integrimi i aerodinamikës aktive është një element kyç i dizajnit të ri.

Nga ana estetike, makina shënon rikthimin e bojës me shkëlqim pas shtatë vitesh me përfundim mat. Ngjyra e bardhë, historikisht dalluese, merr një rol qendror në zonën e kokpitit dhe në kapakun e motorit, duke krijuar një kontrast të fortë vizual. I njëjti koncept kromatik reflektohet edhe në kostumet e reja të pilotëve, ku e bardha përfshin qafën dhe shpatullat. Fred Vasër, shefi i Ferrarit, nënvizoi frymën e grupit: “SF26 shënon fillimin e një cikli të ri. Kjo makinë është rezultat i një pune të madhe ekipore dhe hap një rrugëtim plotësisht të ri. Ekipi është i bashkuar dhe më i harmonizuar se kurrë”. Edhe pilotët shfaqën vendosmëri të madhe. Sharl Lëklerk paralajmëroi për kompleksitetin e sfidës:

“Menaxhimi i energjisë dhe i njësisë së fuqisë do të jetë një nga aspektet më të rëndësishme. Është një sfidë stimuluese që kërkon përshtatje të shpejtë nga ne pilotët. Mbështetja e tifozëve do të jetë thelbësore këtë sezon: është ajo që e bën Ferrarin kaq të veçantë dhe na shtyn të japim gjithmonë maksimumin”. Luis Hamilton, përballë asaj që e cilëson si “ndryshimin më të madh rregullator” të karrierës së tij, shtoi: “Do të jetë një vit jashtëzakonisht i rëndësishëm nga ana teknike, ku roli i pilotit do të jetë qendror në menaxhimin e energjisë, sistemeve të reja dhe në kuptimin e makinës”.