Këshilli i Ministrave miratoi sot disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 649, datë 16 tetor 2024, “Për miratimin e rregullores për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”, me qëllim përmirësimin e menaxhimit të hapësirave bregdetare dhe forcimin e rolit të njësive të vetëqeverisjes vendore.

Ndryshimet parashikojnë, ndër të tjera, krijimin e një tipologjie të re, atë të plazhit publik të tarifuar nga njësitë e vetëqeverisjes vendore (NJVV), i cili do të administrohet nga bashkitë ose ente të krijuara prej tyre dhe ku ndalohet delegimi i menaxhimit te subjektet private. Këto hapësira do të ofrojnë kushte të përcaktuara sigurie dhe higjiene për pushuesit.

Vendimi zgjeron gjithashtu fushën e zbatimit të rregullores duke përfshirë, krahas detit dhe liqeneve, edhe lumin, si hapësirë ku mund të ushtrohet veprimtaria e stacionit të plazhit.

Një risi e rëndësishme është edhe përcaktimi i çmimeve maksimale për shërbimet e plazhit. Sipas vendimit, këshillat bashkiakë, përpara fillimit të çdo sezoni turistik, mund të miratojnë çmimet maksimale për secilën zonë bregdetare. Në mungesë të një vendimi të tillë, çmimi do të dakordësohet mes bashkisë dhe subjektit privat, duke respektuar parimet e konkurrencës dhe interesin publik. Tejkalimi i çmimeve maksimale do të konsiderohet shkelje kontraktore.

Po ashtu në vendim, çmimet maksimale përcaktohen në mënyrë të diferencuar sipas zonave, duke marrë në konsideratë nivelin e zhvillimit turistik, aksesueshmërinë, intensitetin e kërkesës, standardin e shërbimit dhe interesin publik. Çmimet maksimale të dakordësuara bëhen pjesë përbërëse dhe detyruese e kontratës së nënshkruar ndërmjet njësisë së vetëqeverisjes vendore, Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe subjektit privat e nuk mund të tejkalohen gjatë gjithë periudhës së vlefshmërisë së kontratës. Tejkalimi i çmimeve maksimale përbën shkelje kontraktore dhe shkak për vendosjen e masave administrative dhe/ose zgjidhjen e kontratës.

Ndryshimet prekin edhe përbërjen dhe funksionimin e Komitetit të Menaxhimit të Sezonit Turistik, i cili do të kryesohet nga ministri përgjegjës për turizmin dhe do të përfshijë përfaqësues të disa ministrive kryesore, si dhe pushtetin vendor.

Subjektet e parashikuara nga ligji, paraqesin kërkesën për aplikim pranë portalit “e-Albania”, së bashku me dokumentacionin, që vërteton plotësimin e kritereve të parashikuara në këtë rregullore. Numri maksimal i çadrave, që vendosen në stacionin e plazhit pranë strukturës së shërbimit, është 50.

Subjekti që disponon një strukturë akomoduese të marrë me qira, në rast zgjidhjeje të saj, ka detyrimin për njoftimin e menjëhershëm të AKB-së dhe përbën shkak për zgjidhjen e kontratës.

Për kontratat e lidhura me subjektet private për ushtrimin e veprimtarisë së stacioneve të plazhit, njësia e vetëqeverisjes vendore mund të negociojë me subjektin privat çmimet maksimale, që do të aplikohen për shërbimin e çadrave dhe të shezlongëve, në përputhje me karakteristikat specifike të zonës bregujore përkatëse.

Vendimi parashikon gjithashtu rregulla më të qarta për nivelin e zhurmave në plazhe, duke detyruar njësitë e vetëqeverisjes vendore të publikojnë plane të detajuara për secilin plazh përpara nisjes së sezonit veror.

Për disa zona të caktuara bregdetare, përfshirë plazhe në Fier, Divjakë, Durrës, Vlorë, Himarë dhe Shkodër, janë parashikuar përjashtime nga disa kritere, për stacionet e plazhit që nuk kanë struktura akomoduese pranë.

Ngarkohen ministria përgjegjëse për turizmin, Agjencia Kombëtare e Bregdetit, strukturat inspektuese dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi, i cili hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.