Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) përfundoi hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të 4 personave, mes tyre edhe ish kreu i Prokurorisë së Sarandës, Kledian Llaho.

Po ashtu të pandehur janë edhe tre persona të tjerë, Vasil Bakalli, Pando Papuçi dhe Çlirim Shahini.

Sipas SPAK, kallëzuesi në këtë çështje, shtetasi M.A., ishte hetuar nga prokurori Kledian Llaho në një procedim penal të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Hetimet kanë zbuluar se prokurori Llaho ka vepruar në mënyrë të njëanshme, për shkak të një konflikti interesi që lidhej me marrëdhëniet financiare mes familjes së kallëzuesit dhe vjehrrit të tij.

Familja e M.A. kishte detyrime financiare në vlerën 1.800.000 lekë ndaj vjehrrit të prokurorit, për investime të kryera në një objekt hotelier.

Sipas hetimeve, Llaho i ka kërkuar të hetuarit që kjo shumë t’i kthehej vjehrrit të tij përmes shtetasit Vasil Bakalli, me qëllim lehtësimin e pozitës procedurale të M.A. në procesin penal.

Ndërkohë, SPAK ka dokumentuar se shtetasi Pando Papuçi, gjithashtu i hetuar nga Prokuroria e Sarandës, ka dorëzuar në formë rryshfeti shumën prej 30 mijë eurosh për Kledian Llaho dhe Vasil Bakallin, me synim ushtrimin e ndikimit të paligjshëm ndaj prokurores së çështjes për të përmirësuar pozitën e tij procedurale.