38 është numri i personave të arrestuar deri më tani për manipulim të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë, 23 në Prizren dhe 15 në Malishevë, në një aksion të gjerë të prokurorisë kundër asaj që po cilësohet si vjedhje masive e votës.
Hetimet janë në vazhdim dhe pritet të përfshijnë edhe persona të tjerë të përfshirë në procesin e numërimit.
Edhe të enjtën prokuroria e kosovës, ka intensifikuar aksionin kundër manipulimit të votave, duke goditur drejtpërdrejt skemën e dyshuar të vjedhjes së votës në disa komuna të Kosovës.
Të arrestuarit dyshohen se kanë manipuluar mbi 17 mijë vota të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Sipas Prokurorisë, gjatë rinumërimit janë zbuluar mijëra vota të shtuara dhe të hequra, duke ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin zgjedhor.
Hetimet tregojnë se përfitues nga manipulimi kanë qenë kandidatë të partive të ndryshme politike.
Autoritetet kanë paralajmëruar se askush nuk do t’i shpëtojë përgjegjësisë penale, pavarësisht pozitës apo rolit në procesin zgjedhor.
Hetimet po vazhdojnë edhe në komuna të tjera, ndërsa prokuroria e ka bërë të qartë se vjedhja e votës do të trajtohet si krim i rëndë kundër demokracisë.





