KLGJ me shumicë votash nuk pranon ngritjen e komisionit për çështjen e gjyqtares Irena Gjoka, ndërsa ia ka kaluar rastin Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë.
Prokuroria e Përgjithshme ia përcolli materialet qeverisë së gjyqësorit, që duhet të vendosë nëse Irena Gjoka është në kushtet e ndalimit të ushtrimit të detyrës së gjyqtare, për shkak se rezulton se nuk ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit një dënim të drejtësisë greke të vitit 2005 për përdorim vize të falsifikuar.
Anëtarja e gjykatës së Posaçme u denoncua nga ish-kryeministri Sali Berisha për fshehjen e dënimit penal në Greqi dhe më vonë ai publikoi edhe dokumentin e gjykatës greke për Irena Gjokën. Denoncimet dhe akuzat në adresë të saj nisën pasi firmosi masat e sigurisë për kreun e PD-së për dosjen Partizani, ku Berisha është i pandehur për akuzën e korrupsionit kryer në bashkëpunim.
Sipas vendimit të gjykatës së Janinës, Gjoka ishte dënuar me muaj burg dhe 1500 euro gjobë, pasi kishte përdorur vizë të falsifikuar. SPAK ka çelur një hetim lidhur me rastin për akuzën e falsifikimit të formularit të dekriminalizimit.





