Kompanitë shtetërore që nuk prodhojnë apo shesin asgjë i ka ardhur fundi.

Pas më shumë se dy dekadash vitesh pa aktivitet por ekzistojnë ende vetëm në dokumente, qeveria ka vendosur t’i mbyllë përfundimisht dhe të transferojë pasuritë e tyre te një kompani shtetërore që do t’i menaxhojë në mënyrë të përqendruar.

Projektligji i publikuar ne konsultim publik parashikon krijimi i një shoqërie të re, “Operatori i Shoqërive Shtetërore” sh.a., e cila do të marrë përsipër administrimin e centralizuar të pasurive dhe do të garantojë vazhdimësinë juridike në marrëdhëniet me kreditorët dhe palët e treta.

Bëhet fjalë për shoqëri që kanë hyrë në likuidim që në fillim të viteve 2000 dhe që edhe pas 15–20 vitesh, nuk janë çregjistruar ende nga Qendra Kombëtare e Biznesit.

Mes tyre përfshihen emra të njohur si “Albbakë”, “Albkrom”, “Albminiera”, “Petrol Alba”, “Duhan–Cigare”, por edhe ndërmarrje të tjera industriale dhe minerare të shpërndara në disa rrethe të vendit.

Sipas relacionit shpjegues, këto shoqëri vazhdojnë të mbahen “gjallë” juridikisht vetëm për të administruar pasuri dhe detyrime të vjetra, shumë prej të cilave rezultojnë të parashkruara, të pajustifikuara ose të regjistruara gabimisht në vite

Megjithatë, mungesa e regjistrimit pronësor dhe paqartësitë mbi titujt e pronësisë kanë bllokuar shitjen, privatizimin apo dhënien në përdorim të aseteve të prëdorura prej tyre.

Qeveria argumenton se zbatimi i këtij ligji do të rrisë sigurinë juridike, do të racionalizojë menaxhimin e pasurive publike dhe do të reduktojë numrin e subjekteve shtetërore jofunksionale.

Ndërkohë, themelimi i shoqërisë së re do të ketë edhe kosto buxhetore, pasi kapitali fillestar do të financohet nga buxheti i shtetit, me vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave.