“Kemi frikë të dalim nga shtëpia se mos na rrahin sërish. nuk kam dalë as për të blerë bukë për fëmijët!” – thotë mes lotësh V. Meçani për “DurrësLajm”.
Ajo është një nga personat që pasditen e së premtes janë goditur brenda në makinë nga disa persona për të cilët tani policia e Durrësit ka nisur procedimin penal dhe shpalljen në kërkim. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.14, në Nishtulla.
Sipas shtetases V.Meçani, i pari që është goditur nga një grup prej disa personash është 55–vjeçari Fatmir Meçani,

Siç duket edhe në foton që po publikojmë, ai është gjakosur nga grushtat e personave që e kanë sulmuar dhe ka pasur nevojë për ndiihmë mjekësore.
Në momentin që vëllai i tij, Lulzimi, bashkëshortja e Fatmirit dhe kunata e tij po e shoqëronin në spital, makina e tyre është goditur nga po të njëjtët persona që më parë kishin gjakosur Fatmirin.
Gjendja e makinës është kjo që shihni në videon e mëposhtme.
Pas sulmit ndaj makinës së tyre, 4 personat janë drejtuar për në policinë e Durrëësit, ku kanë bërë denoncimin përkatës.
Në njoftimin për shtyp, policia bën të ditur se “specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Shkatërrimi i pronës”, të kryera në bashkëpunim, në ngarkim të shtetasit A. Z., 44 vjeç, banues në lagjen nr. 14, Nishtulla, Durrës.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit S. Z., 46 vjeç, dhe V. R., 37 vjeç, të dy banues në lagjen nr. 14, Nishtulla, Durrës”.
Po sipas policisë, pas hetimeve të kryera nga ekspertët e kriminalistikës, ka rezultuar se “më datë 30.01.2026, rreth orës 17:30, në lagjen nr. 14, Nishtulla, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë goditur me grushte shtetasit F. M., 55 vjeç, dhe L. M., 55 vjeçe, si dhe kanë dëmtuar automjetin tip “Ford Focus”, duke thyer xhamat e derës së shoferit dhe pasagjerit, në pronësi të shtetasit L. M., 47 vjeç”.
Familja Meçani, pas dhunës së pësuar një ditë më parë ndihet e kërcënuar dhe e pambrojtur, përsa kohë këtë shtetas janë ende të lirë.
“Nuk kemi shkuar në dyqan, nuk guxoj të vë këmbë jashtë shtëpisë”,- thotë mes lotësh V. Meçani, e cila trembet se një situatë e ngjashme si ajo e një nate më parë mund të përsëritet sërish.
Sipas kësaj familjeje, kjo nuk është hera e parë që ata i dhunojnë, ashtu siç kanë dhunuar edhe familje dhe persona të tjerë po në atë zonë.
M.B.





