Sot në Gjykatën e Posaçme zhvillohet seanca për shqyrtimin e masës së sigurimit “arrest me burg” të caktuar ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka kërkuar zëvendësimin e kësaj mase.

Hetimet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) përfunduan më 10 shtator 2025, ndërsa Veliaj është arrestuar që më 10 shkurt 2025. Për gjykim janë dërguar gjithashtu edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, si dhe 28 persona të tjerë dhe shoqëri të përfshira në dosjen e njohur si “Veliaj”.

SPAK ka ngritur ndaj Veliajt 13 akuza, përfshirë: korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve në burg. Sipas prokurorisë, shumica e akuzave lidhen me korrupsion pasiv, në 9 raste që përfshijnë disa kompani, të cilat sipas SPAK kanë dhënë përfitime të parregullta në formën e parave dhe pasurive të paluajtshme, duke marrë më pas leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e Tiranës.

Bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, akuzohet gjithashtu për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, në të njëjtin kontekst si bashkëshorti i saj.