Çiftet shqiptare që kanë ose presin të kenë fëmijë nuk do të përfitojnë më një pagesë të vetme, si në skemën e vitit të kaluar, por pagesa mujore deri në momentin që fëmija të mbushë 5 vjeç.
“Skema i bashkohet modelit të Europës kontinentale dhe politikave që nxisin familjen. Megjithatë, po përsërisim gabimin duke ndërtuar një program të ri pa u bazuar te të dhënat.
Duhej të kishim analizuar efektet e skemës së mëparshme dhe të kuptonim pse shifrat tregojnë se nuk kemi rritje të lindshmërisë. Vetëm kështu mund të kuptonim se çfarë e ka shkaktuar rënien”, tha Erisa Dhamo, sociologe.
“Për fëmijën e parë, pagesa do të jetë 5 mijë lekë në muaj.
Për fëmijën e dytë, 7 mijë lekë në muaj, ndërsa për të tretin, 10 mijë lekë në muaj, ose 120 mijë lekë në vit.”
Në të tre rastet, shuma totale e përfituar është më e lartë krahasuar me skemën e mëparshme.
“Kjo është një vlerë e konsiderueshme, pasi mund të mbulojë një pjesë të nevojave ushqimore të fëmijës. Do të rekomandoja që këto pagesa t’u adresohen më shumë familjeve në nevojë, sepse për to ndikimi është më i madh sesa për familjet me të ardhura të larta”, shtoi Dhamo.
Ndryshimi i skemës vjen në një kohë kur bonusi i mëparshëm nuk arriti të japë efektin e pritshëm
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, gjatë 11 muajve të vitit të kaluar, nga 1.8 miliardë lekë të planifikuara, u shpërndanë vetëm 1.2 miliardë lekë, gjë që lidhet edhe me uljen e numrit të lindjeve gjatë vitit./SOT





