Ndeshja mes Teutës dhe Vllaznisë ka qenë shumë e tensionuar, me tifozeritë e dy skuadrave në Durrës që nuk kanë kursyer ofendimet ndaj njëra-tjetrës që në startin e duelit. Ndaj në fund, në vërshëllimën e gjyqtarit për mbylljen e takimit, në momentin e festimeve të shkodranëve kishte edhe pak tension në fushë. Gjithçka nisi me mënyrën e festimit të Gurishtës para pankinës së Teutës, që solli tension në tribuna e një kacafytje në fushën e lojës mes ekipeve.
Për fat, situata u qetësua shpejt dhe shkodranët u drejtuan nga tribuna ku ishin vendosur ultrasit e tyre, duke festuar suksesin që i dha mundësinë të shkëputen të vetëm në kreun e renditjes.





