Ngjarja e rëndë në Serinë A ku u godit me fishekzjarr portieri i Kremonezes, Emil Audero, ka bërë xhiron e rrjetit. Fishekzjarri i lëshuar nga tribuna e ultrasve të Interit i shpërtheu në këmbë portierit duke i shkaktuar nëj plagë në kofshë e probleme në dëgjim. Por ai vendosi të qëndronte në fushë dhe kështu shpëtoi zikaltrit nga një humbje e mundshme e ndeshjes në tavolinë. Një gjest i pakuptimtë nga tifozët e Interit, duke kujtuar se Audero dy vite më parë ishte pjesë e zikaltërve e festoi me ta titullin e 20-të kampion në Itali.
Ndërkohë, është bërë e ditur se policia ka identifikuar dhe arrestuar autorin e këtij veprimi. Tifozi i Interit, kishte tentuar të bënte pak çaste më vonë të njëjtën gjë me një tjetër fishekzjarr, por këtë radhë i kishte shpërthyer në dorë, duke humbur tre gishta. Kësisoj, ai kishte përfunduar në spital ku i është dhënë fillimisht ndihma mjekësore, ndërsa më pas i janë vënë edhe prangat nga policia e cila ka nisur procedimin penal ndaj tij.





