Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë një intervistë për “India Today”, ku foli për rolin e grave në politikë.
Gjatë kësaj interviste, Osmani deklaroi se përfshirja e grave në proceset e paqes dhe vendimmarrjes politike sjell rezultate më të shpejta, të cilat njëkohësisht zgjasin më shumë në kohë.
“Jam e lumtur që ma bëre këtë pyetje sepse statistikat tregojnë se sa më shumë gra të marrin pjesë në tryezë, aq më shpejt vjen paqja dhe aq më gjatë zgjat ajo. Të paktën ky ka qenë rasti në rajonin tim.”, u shpreh Osmani, pasi gazetarja që e intervistoi e vlerësoi për faktin që presidentja e Kosovës ishte e vetmja grua në ceremoninë e nënshkrimit të Bordit të Paqes.
#EXCLUSIVE
— IndiaToday (@IndiaToday) February 3, 2026
"The more women at the table, the faster peace comes and the longer it lasts": Kosovo President Vjosa Osmani to India Today.#VjosaOsmani #Kosovo #WGS2026 | @maryashakil @VjosaOsmaniPRKS pic.twitter.com/DUtCWAqVrp
Osmani u shpreh e keqardhur që shpeshherë ishte e vetmja grua në tavolinë nëpër evente të rëndësishme politike apo samite me karakter ndërkombëtar.
Sipas presidentes së Kosovës, gratë sjellin perspektiva të reja në zgjidhjen e konflikteve. Osmani shprehet se mungesa e përfaqësimit nuk vjen nga mungesa e vullnetit apo e aftësive, por për shkak të diskriminimit gjinor.
“Është shumë e rëndësishme dhe padyshim numri i grave në krye të shtetit dhe qeverive është ende i vogël. Mendoj se diku tek 20, mes rreth 200 vendeve drejtohen nga gra. Gjë që për fat të keq nuk përputhet me faktin se gjysma e botës përbëhet nga gra. Dhe nënpërfaqësimi nuk po ndodh për shkak të mungesës së vullnetit apo të aftësive por për shkak të diskriminimit masiv që ndodh në shumë vende, në shumë profesione, por sidomos në politikë. Sa më shumë që ngrejmë zërin tonë, aq më shumë përfaqësojmë vendin tonë dhe më shumë do thoja që jemi të fortë, jo thjesht për të përfaqësuar vendin tonë, por edhe gjysmën e popullsisë së botës dhe aq më shumë hapim rrugë për vajzat e reja dhe gratë që duan t’i bashkohen politikës.”, shtoi ajo, duke u shtuar se është e rëndësishme që gratë të mbështesin njëra-tjetrën në politikë.
Osmani mes të tjerash theksoi dhe rëndësinë që ka Bashkimi Evropian për Kosovën dhe synimet për t’ju bashkuar unionit.





