Teuta ka shfrytëzuar maksimalisht orët e fundit të merkatos dimërore për të riformatuar organikën e skuadrës, duke kryer disa lëvizje të rëndësishme si në dalje ashtu edhe në hyrje. Klubi durrsak ka konfirmuar zyrtarisht largimin e sulmuesit Xhoel, i cili nuk është më pjesë e skuadrës pas një marrëveshjeje konsensuale mes palëve. Sulmuesi kishte dalë prej disa javësh nga planet e stafit teknik, duke mos gjetur hapësira aktivizimi në ndeshjet e fundit të kampionatit. Për këtë arsye, palët kanë vendosur të ndajnë rrugët, duke i dhënë mundësinë futbollistit të vijojë karrierën në një ambient tjetër.

Paralelisht me këtë largim, Teuta ka vijuar lëvizjet në merkato edhe në drejtim të huazimeve. Mbrojtësi i majtë Erisjon Balla është transferuar te Kukësi në formë huazimi deri në fund të sezonit. 21-vjeçari ka pasur një rol periferik këtë edicion, duke u aktivizuar vetëm 3 minuta në takimin e Kupës së Shqipërisë ndaj Vorës, çka e ka shtyrë klubin dhe lojtarin të kërkojnë një zgjidhje për më shumë minuta në fushë. Nga ana tjetër, Kukësi kishte nevojë urgjente për përforcime në krahun e majtë të mbrojtjes dhe huazimi i Ballës shihet si një zgjidhje funksionale për të dyja palët. Lojtari pritet të ketë një rol më aktiv në skuadrën verilindore, ndërsa Teuta ruan të drejtat e kartonit të tij.

Klubi “blu” ka zyrtarizuar afrimin e talentit argjentinas Santiago Puço, një lëvizje që synon të rrisë konkurrencën dhe alternativat në repartin ofensiv. Futbollisti ka qenë së fundmi pjesë e klubit argjentinas CA Talleres, ku ka punuar nën drejtimin e ikonës së futbollit argjentinas, Karlos Tevez. Santiago Puço vlerësohet si një lojtar me potencial të madh, me tipare sulmuese dhe aftësi teknike, teksa pritet të përshtatet shpejt me kampionatin shqiptar. Afrimi i tij konsiderohet një investim për të tashmen dhe të ardhmen, ndërsa Teuta synon të përmirësojë renditjen dhe objektivat për pjesën e mbetur të sezonit. Me këto lëvizje, Teuta mbyll merkaton dimërore me një bilanc të qartë, duke sistemuar organikën dhe duke u përgatitur për sfidat e radhës në kampionat dhe Kupë.

Xhovalin Trifoni është lojtar i Teutës, siç është zbuluar në Fier. Durrsakët kanë goditur dje në fundin e merkatos me 21- vjeçarin, që shton forcat në krahun e djathtë të sulmit ku më parë u largua David Fadairo. Talenti fierak do e ketë eksperiencën e parë larg Apolonisë. Këtë sezon shënoi pesë gola në 14 javë të Kategorisë së Parë. Në edicionin e kaluar ndërkohë numëronte 13 gola. Teuta është pa fitore prej nëntë ndeshjesh në kampionat. Kështu po kalon periudhën më të vështirë.

Teuta vijon përgatitjet për sfidën ndaj Elbasanit me ritëm dhe entuziazëm. Teuta vazhdon pa ndalesë përgatitjet për ndeshjen e radhës ndaj Elbasanit, duke treguar një ritëm të lartë pune dhe një atmosferë pozitive brenda grupit. Seanca stërvitore e zhvilluar ditën e djeshme u karakterizua nga intensitet, përqendrim dhe angazhim maksimal nga të gjithë futbollistët, sinjale që flasin për një ekip të motivuar dhe të etur për rezultate pozitive. Përpara fillimit të stërvitjes, skuadrës iu prezantua zyrtarisht edhe lojtari i ri, Puço, i cili u prit nga stafi teknik dhe shokët e ekipit. Menjëherë pas prezantimit, futbollisti nisi stërvitjen me grupin, duke u integruar pa vonesë në programin e përgatitjeve.

Aktivizimi i tij i menjëhershëm tregon gatishmërinë dhe dëshirën e lojtarit për të dhënë kontributin e tij që në fazën e parë. Në seancën e sotme, ekipi u paraqit i plotë, çka i ka dhënë mundësi stafit teknik të punojë me të gjithë elementët në dispozicion. Ushtrimet u fokusuan në përmirësimin e aspektit fizik dhe taktik, duke kërkuar ritëm të lartë loje dhe saktësi në veprime. Ajo që ra në sy ishte fryma e bashkëpunimit mes lojtarëve, si dhe përkushtimi i secilit në çdo moment të stërvitjes. Atmosfera brenda skuadrës është pozitive, ndërsa motivimi dhe dëshira për sukses janë evidente. Teuta duket e vendosur për të përballuar me seriozitet maksimal sfidën ndaj Elbasanit, me synimin për të marrë një rezultat pozitiv dhe për të vijuar rrugëtimin e saj me besim dhe ambicie.