Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili, është paraqitur këtë të enjte në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Ai është paraqitur për zhvillimin e seancës paraprake lidhur me çështjen e hakerimit të e-maileve zyrtare të prokurorëve të SPAK në mars të vitit të shkuar.
Kujtojmë se sulmi kibernetik ndodhi në mars 2025, ndërsa procedimi penal është regjistruar 2 muaj më vonë. Sipas asaj që u raportua asokohe, autorët kishin arritur të kishin në dorë disa adresa e-maili të prokurorëve të SPAK.
Nga hetimet rezulton se personat e përfshirë dyshohet se kanë tentuar të ndërhyjnë në kompjuterët e tre prokurorëve të posaçëm, Behar Dibra, Enkeleida Millonai dhe Elida Kaçkini, me synimin për të siguruar të dhëna sensitive. Sipas Prokurorisë së Posaçme, tentativa për depërtim në sistemin e brendshëm të IT-së ka dështuar dhe hakerët nuk kanë arritur të hyjnë në databazat kryesore të institucionit.
Megjithatë, dyshohet se disa nga dokumentet e përfituara janë shpërndarë tek persona të tjerë, mes të cilëve edhe dy gazetarë.
Tre persona janë marrë të pandehur lidhur me këtë çështje, ish-drejtori i Burgjeve, Agim Ismaili, ish-punonjësi i IMT-së, Arnold Rrokaj dhe ish-zyrtari i burgut të Vlorës, Zambak Gjoni. Sipas hetimeve, Rrokaj ishte i pari që pati akses te materialet hetimore. Ai bashkë me Gjonin u identifikuan brenda 24 orëve dhe u arrestuan menjëherë duke parandaluar kështu dhe shpërndarjen e mëtejshme të materialeve hetimore.





