Santiago Puco është një nga emrat e ri që i është bashkuar futbollit shqiptar gjatë merkatos së dimrit. Mesfushori 19-vjeçar paraguaian, ka lënë futbollin argjentinas, ku ishte pjesë e ekipit të Tajeres, për t’iu bashkuar Teutës. Ai ka zbarkuar tashmë në Shqipëri dhe është vënë nën urdhrat e trajnerit Dobi, siç ka treguar në një intervistë për mediat argjentinase. “Në vitin 2025 nuk shkoi asgjë siç e kisha shpresuar, por mendoj se ky do të jetë një vit i shkëlqyer”, e nisi ai prononcimin e tij, duke zbuluar se kthimi në radhët e Kuilmes, klubit nga i cili kishte dalë në Paraguai, nuk ishte bërë i mundur pasi nuk e donte trajneri.
“Presidenti dëshiroi që të kthehesha, por ishte trajneri që më mbylli dy herë derën. I kërkova përfaqësuesit tim që të fliste me Kaneo (trajnerin), por u zhgënjeva. Mendoja se një idhull si ai do i hapte dyert një djali të klubit, por nuk e bëri. Nuk jam i vetmi djalë që i ka thënë jo. Por falë Zotit me erdhi kjo ofertë dhe do ta shfrytëzoj”, shpjegoi ai duke treguar si ndodhi kalimi në futbollin shqiptar falë menaxherit që kishte lidhje në futbollin grek.
“Ai më ofroi në disa klube të ndryshme dhe Teuta ishte e para që më telefonoi dhe u interesua. Sapo mbërriti oferta, e vura re se më dëshironin. Dërguan biletat, dërguan ofertën dhe bënë gjithçka shumë shpejt. Kjo gjithashtu ndikon shumë. Teuta është shumë klub i bukur, jam prezantuar me trajnerin, me presidentin dhe më pëlqeu organizimi. Gjithashtu ka edhe ngjyrat e Kuilmes, ndaj është mjaft mirë. Këtu flitet shumë anglisht, unë po e mësoj, Familja është mirë dhe janë të lumtur që u shfaq kjo mundësi”, tha futbollisti i ri i Teutës.





