Një moment i frikshëm ndodhi gjatë ndeshjes së Kupës së Turqisë mes Gallatasarajt dhe Istanbulsporit. Në një duel në ajër, sulmuesi i vendasve, Ahmet Kutuçu, u përplas me kokë me portierin e miqve, Isa Dogan, që kishte dalë të grushtonte topin.
Përplasja ishte aq e dhunshme sa të dy lojtarët u rrëzuan pa ndjenja në fushë, duke alarmuar jo pak shokët e skuadrës. Barish Jilmaz vrapoi menjëherë te shoku i tij i ekipit dhe veproi shpejt për t’u siguruar që rrugët e frymëmarrjes të ishin të lira dhe të mos e gëlltiste gjuhën.
Sot Kutuçu ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale ku shkruan se nuk ka problem serioze dhe i uron portierit Dogan shërim të shpejtë.
“Mbrëmë, gjatë ndeshjes kundër Istanbulspor, pata një incident të pakëndshëm me portierin kundërshtar, vëllain tim Isa. Është diçka që ndodh në futboll. Falë Zotit, nuk kam probleme serioze. Do të doja të falënderoja lojtarët e mi që ndërhynë menjëherë në fushë, ekipin mjekësor, stafin e spitalit që qëndruan me mua deri në mëngjes dhe të gjithë tifozët e futbollit që më dërguan mesazhet e tyre. I uroj vëllait tim Isa Doğan shërim të shpejtë”, shkruan ai.





