Këshilli i Ministrave ka miratuar një paketë vendimesh që parashikon indeksimin me 2.5% të pagave dhe elementeve përbërëse të tyre për disa kategori të administratës publike për vitin 2026.
Vendimet përfshijnë rritjen e pagës së Presidentit të Republikës, si dhe rritjen e pagës referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë. Po ashtu, parashikohet përditësimi i strukturave të pagave për Gardën e Republikës, Policinë e Burgjeve, koordinatorët kundër korrupsionit, punonjësit mbështetës dhe specialitetet e ndryshme në administratën publike, si edhe për personelin e sistemit shëndetësor.
Krahas indeksimit, në disa sektorë janë parashikuar edhe rregullime specifike të shtesave dhe kompensimeve, në funksion të natyrës së punës dhe përgjegjësive të funksioneve përkatëse.
Efektet financiare të këtyre vendimeve do të përballohen nga buxheti i miratuar për vitin 2026, ndërsa vendimet hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, me efekte financiare që nga 1 janari 2026.





