Pamjet shqetësuese që bënë xhiron e rrjeteve sociale, të publikuara nga Genard Hajdini, ku shfaqej motra e tij Sonida gjysmë e zhveshur teksa akuzonte Genardin për dhunë, kanë shkaktuar reagim të fortë në opinionin publik dhe menjëherë u kërkua ndërhyrja e institucioneve parkatëse.
Lidhur me rastin, ka reaguar Ministria e Shëndetësisë, e cila bën me dije se pas publikimit të videos, strukturat sociale të Njësisë Administrative nr. 2, së bashku me mjekët e Qendrës Shëndetësore dhe policinë, ndërhynë për të vlerësuar gjendjen e Sonida Hajdinit.
Sipas asaj që bën me dije MSH, rezulton se videoja, e cila është fshirë nga rrjetet sociale, kishte si qëllim ndjekjen virale të vetë personazhit dhe jo elementë dhune apo qëllime dashakeqësie.
Po ashtu, strukturat shëndetësore siguruan trajtimin mjekësor të nevojshëm, pasi Sonida Hajdini kishte qenë më parë e shtruar në Spitalin e Shëndetit Mendor dhe ishte lënë për trajtim ambulator. Aktualisht, vëlla e motër ndodhen të shtruar në spitalin psikiatrik të Tiranës për trajtim më të specializuar, ndërsa do të hartohet një plan masash për monitorimin e vazhdueshëm të dy personave, vëlla e motër, Genard dhe Sonida Hajdini.
Dy personazhet e njohur të rrjeteve sociale, kohët e fundit, janë shfaqur në gjendje të rënduar psikologjike. Duhet theksuar se humbja e babait të tyre, Paqsori, ndikoi edhe një herë në përkeqësimin e gjendje së tyre shëndetësore, pas përjetimit të rëndë. Humbja e babait, i largoi larg vëmendjes së mediave sociale dhe të dy ata u shtruan në spital për trajtim mjekësor. Por, pas një periudhe rehabilitimi, janë rikthyer dhe këtë herë në një gjendje akoma më të rëndë që kërkon nevojën për marrjen e masave urgjente.
Reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë:
Pas publikimit në faqen e Instagram-it të shtetasit G.H., ku shfaqej në mënyrë të papërshtatshme motra e tij, shtetasja S.H., menjëherë nga strukturat sociale vendore të Njësisë Administrative nr. 2, së bashku me stafin mjekësor të Qendrës Shëndetësore nr. 1 dhe oficerët e policisë të Komisariatit nr. 1, u bë vlerësimi i gjendjes së shtetases S.H.
Gjatë intervistimit, u shpreh se videoja kishte si qëllim ndjekjen virale të vetë personazhit dhe jo elementë dhune apo qëllime dashakeqësie. Videoja është fshirë nga vetë G.H., pas urdhrit të menjëhershëm të policisë.
Strukturat shëndetësore bënë gjithashtu të mundur edhe injektimin e medikamenteve shëndetësore, pasi nga qëndrimi para dy javësh në Spitalin e Shëndetit Mendor në Tiranë, ishte lënë përgjegjësi për trajtim ambulator, i cili ofrohej nga një kujdestare e vendosur nga të afërmit e dy personave.
Aktualisht, ata ndodhen të shtruar për një shërbim më të specializuar mjekësor në spitalin psikiatrik të Tiranës, ndërsa nga ana e organeve kompetente materialet janë referuar në prokurori, sipas edhe rekomandimit tonë.
Struktura e NJNVR-së së Njësisë nr. 2, së bashku me Drejtorinë e Mbrojtjes Sociale në Bashkinë e Tiranës dhe Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror të Qarkut Tiranë, do të mblidhen për hartimin e planit të masave për monitorimin e vazhdueshëm të dy personave me lidhje gjaku (motër dhe vëlla), ku do të kërkohet edhe mbështetje nga organet kompetente për hetime të mëtejshme, për shkak të dyshimit për konsumimin e veprës penale të shfrytëzimit të një personi me aftësi ndryshe.





