Platforma “Liria ka Emër” u bëri thirrje kryetarëve të komunave, përfshirë ata që tashmë kanë shprehur gatishmëri dhe mbështetje, që t’i bashkohen protestës së 17 shkurtit “Drejtësi, jo politikë”, e cila do të mbahet në Prishtinë.
Ata ftuan gjithashtu qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë në këtë marsh madhor, para se të jepet fjala përfundimtare në Hagë, për të dëshmuar, siç u shprehën, për historinë e Kosovës dhe sakrificën e ish-krerëve të UÇK-së, raporton KosovaPress.
Në një konferencë për media përfaqësuesi i Platformës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli Kosova ndodhet në javën e fundit para një vendimi historik, pasi më 9 të këtij muaji nis faza finale e gjykimit në Hagë, e cila ka rëndësi jo vetëm juridike, por edhe morale, historike dhe politike për vendin.
Ai theksoi se kjo javë nuk është vetëm afat procedural, por koha kur po afrohet fjala e fundit dhe kur Kosova po vëzhgohet nga e gjithë bota.
“Mbështetja dhe bashkëpunimi i tyre institucional janë dëshmi se kjo çështje po trajtohet me seriozitetin më të madh dhe përgjegjësi që e meriton.
Ftojmë edhe kryetarët e tjerë të komunave që të përfshihen në këtë mision kombëtar dhe patriotik duke dhënë kontributin e tyre në një moment vendimtar për dinjitetin dhe të ardhmen e Kosovës.
Jemi në javën e fundit para një vendimi historik, me datën 9 të këtij muaj nis faza finale e gjykimit në Hagë, një fazë që nuk ka peshë vetëm juridike por edhe morale historike dhe politike për vendin tonë.
Kjo javë nuk është thjeshtë një afat procedural, është java kur fjala e fundit po afrohet.
Është java kur Kosova po shihet dhe po gjykohet në sytë e botës. Në këto momente heshtja nuk është neutralitet, është mungesë qëndrimi.
Prandaj, “Liria ka Emër”, njofton dhe fton qytetarët në marshin më të madh që ka pasur ndonjëherë vendi ynë, një marsh qytetarë, paqësor e dinjitoz dhe gjithëpërfshirës.
Një marsh për drejtësi dhe jo politikë, një marsh jo kundër dikujt, por për dinjitetin e Kosovës, për të vërtetën dhe për respektimin e sakrificës mbi të cilën është ndërtuar liria jonë”, tha Tasholli.
Pesë protesta në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) janë organizuar vitin e kaluar nga kategoritë e dala nga lufta.
Në Prishtinë, Hagë, Tiranë, Strasburg e Shkup, me mijëra shqiptarë protestuan me thirrje “Drejtësi për Çlirimtarët”.
Protestë tjetër do të mbahet në Prishtinë në përvjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Të hënën nis faza përfundimtare e procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqi dje Rexhep Selimit. /KosovaPress





