Përditshmëria e saj është një frymëzim i madh për të. Një puthje e dhënë nga vajza, një tufë me kuajsh që vrapojnë të lirë, ajo vetë e rrethuar nga kuajt në ëndrrat e saj…
Për Asel Kryemadhi Isterin pozitiviteti që merr nga familja e saj apo nga njerëzit e dashur që e rrethojnë janë një frymëzim i madh për të marrë penelin dhe hedhur në telajo momentin. Piktorja durrsake është bërë pjesë e një ekspozite të përbashkët me artistë të tjerë të qytetit bregdetar, e cila është titulluar “Art në kafaz”. Megjithëse janë tablo të krijuara një pjesë e mirë pas tërmetit apo gjatë muajve të pandemisë, ngjyrat e forta, sytë e qeshur, buzëqeshja e një shpirti të lumtur, tregojnë se Asela ka ditur të nxjerrë më të mirën nga këto dy goditje të forta për Durrësin.
Në një intervistë për “DurrësLajm”, Asela e pranon se gjatë këtyre momenteve kritike në historinë e qytetit bregdetar dhe jetës së banorëve të tij, ka kuptuar se artisti frymëzohet më shumë se kurrë.
Por në këtë ekspozitë ajo nuk vjen vetëm, por së bashku me të vëllanë, piktor dhe ai. Në ndryshim nga Asela, Davidi frymëzimin e gjen tek mitologjia, tek lindja e largët pas të cilës është mjaft i apasionuar. Tablotë e David Kryemadhit janë paksa ndryshe nga stili tradicional. Ndërsa sheh shumë prej tyre, në mendje të vijnë personazhet e kartonave të famshëm japonezë. Samurai me shpatën e zhveshur shfaqet pranë një shtëpie të rrënuar, si për të sjellë në vëmendje të artdashësve pasojat e frikshme që la pas tërmeti i 26 nëntorit.
Davidit i pëlqen të eksperimentojë me teknikën miks media, ku ndërthuret tradicionalja me digjitalen. Pavarësisht personazheve mitike apo historike shumë të largëta në kohë, mesazhet janë të kohëve që po jetojmë. Një Kleopatër nudo por dominante dhe perandori Jul Çezar piciruk, simbolizojnë diskrimimin gjinor, fenomen mjaft i pranishëm në shoqërinë tonë.
“Arti në kafaz” i piktorëve dhe skulptorëve durrsakë shërbeu gjatë këtyre ditëve për të përcjellë edhe njëherë tek publiku mesazhin se jeta vazhdon., pavarësisht tërmetit, pavarësisht pandemisë…
M.B.