Ka nisur seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.
Seanca udhëhiqet nga Avni Dehari si deputeti më i vjetër, i ndihmuar nga Fatma Tuci si deputetja më e re në moshë.
Rendi i ditës së kësaj seance është miratuar të martën. Nisi me formimin e komisionit për verifikimin e mandateve dhe vazhdoi me betimin e deputetëve. Fjalën e betimit e lexoi kryetari i seancës, ndërsa deputetët e pranishëm përsëritën pas tij: “Betohem”. Pas leximit, të gjithë deputetët nënshkruan personalisht deklaratën e betimit.
Në sallë janë të pranishëm 118 deputetë. Albulena Haxhiu u zgjodh kryetare e Kuvendit të Kosovës me 66 vota pro, 44 kundër dhe 8 abstenuan. LDK, PDK dhe Lista Serbe votuan kundër. Abstenoi AAK-ja.
Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, tha se i takon partisë fituese- të sigurojë votat për formimin e institucioneve dhe të mos vazhdojë me bllokada si vitin e kaluar. Ai paralajmëroi se LDK-ja nuk do të mbështesë asnjë kandidat për kryetar të Kuvendit pa një marrëveshje politike mes partive.
“Asnjëherë nuk i kemi lidhur vendimet tona me emra të përveçëm; krejt çka kemi thënë është se pa marrëveshje politike ne nuk votojmë asnjë kandidat”, tha Zemaj para nisjes së seancës konstituive.
Albin Kurti ka bërë një postim në rrjete sociale, ku e ka paralajmëruar se Albulena Haxhiu do të zgjidhej kryetare e Kuvendit të Kosovës, ku ka shkruar: “Në Kuvend për të votuar kryetaren e re të Kuvendit dhe për konstituimin e tij. Kësaj radhe me të parën. Ju faleminderit shumë për mbështetjen e madhe që na keni dhënë më 28 dhjetor!”





