Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi para deputetëve të Kuvendit se dy seancat parlamentare po mbahen pasdite për shkak se në Hagë po zhvillohen seancat e fundit të procesit gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Ai komentoi kërkesën e Prokurorisë për dënim me nga 45 vjet burgim për secilin prej tyre, duke thënë se, sipas tij, kjo përbën një përpjekje që bie ndesh me të vërtetën dhe mohon kontekstin historik e politik të luftës çlirimtare.

“Kërkesa për 45 vjet burg ndaj ish-krerëve të UÇK-së bie ndesh me të vërtetën historike. Qëndrimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës që unë e drejtoj është i qartë. Në Kosovë janë kryer krime kundër njerëzimit ndaj popullsisë civile shqiptare. E ato i ka kryer regjimi i Jugosllavisë nën Millosheviqin. Kjo është e dokumentuar dhe e njohur ndërkombëtarisht”, tha Kurti.

Ai shtoi se, sipas tij, barazimi mes drejtuesve të UÇK-së dhe regjimit të atëhershëm serb është i paqëndrueshëm dhe përbën shtrembërim faktik dhe historik.