Ekipi mbrojtës i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli do të vazhdojë edhe sot me shpalosjen e deklaratës përmbyllëse në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Gjatë seancës së djeshme, avokati i tij, Rodney Dixon, deklaroi para trupit gjykues se “nuk ka as edhe një provë që dëshmon se Veseli ka kryer krime lufte”.
Ai theksoi se klienti i tij nuk ka qenë i pranishëm në Kosovë për një periudhë të gjatë kohore gjatë kohës që pretendohet se janë kryer veprat penale.
Sipas Dixon, emri i Veselit përmendet mbi 260 herë në dosjen përfundimtare të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), por në asnjë rast, sipas tij, nuk argumentohet përfshirja e tij në veprat për të cilat akuzohet.
Fjala përfundimtare e mbrojtjes së Veselit nisi pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse të ekipit mbrojtës të ish-presidentit Hashim Thaçi. Avokati i Thaçit, Lluka Mishetiq, deklaroi se është koha që klienti i tij të lirohet dhe të kthehet pranë familjes, duke e cilësuar si “joserioze” kërkesën e ZPS-së për dënim me nga 45 vjet burgim për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Kritika ndaj Prokurorisë pati edhe avokati Pierre-Richard Prosper, i cili kundërshtoi pretendimet e ZPS-së lidhur me dëshmitarët ndërkombëtarë. Ai tha se pretendimi se shtatë dëshmitarët e mbrojtjes nuk kishin njohuri të thella apo nuk e njihnin strukturën e UÇK-së, tregon “arrogancë, mungesë respekti dhe injorancë”.
Fjalët përfundimtare në procesin më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara kanë nisur të hënën me deklarimet e ZPS-së. Kjo fazë shënon përmbylljen e procesit gjyqësor, ku palët kanë mundësinë e fundit për t’iu drejtuar trupit gjykues me parashtrimet e tyre.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat i kanë cilësuar si të pabazuara. Edhe mbrojtja ka hedhur poshtë akuzat, duke argumentuar se UÇK-ja nuk kishte një strukturë të organizuar komanduese.
Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023, gati tre vjet pas konfirmimit të aktakuzës, ndërsa ish-krerët e UÇK-së vazhdojnë të mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.





