Mbërrijnë në fshatin Gryksh të Peqinit 4 arkëmortet e familjes Kola e cila gjeti vdekjen tragjikisht në Itali nga rrjedhja e gazit në banesë. Arti Kola 48 vjeç, Jonida Kola 44 vjeçe dhe fëmijët e tyre Hajdar Kola 23 vjeç dhe Xhesika Kola 16 vjeç, do të prehen në tokën ku nisën jetën e tyre, në Gryksh të Madh, aty ku lanë kujtime, familjarë e miq përpara se të emigronin drejt Italisë për një jetë më të mirë.

Familjarët më të afërt nëna e Arti Kolës dhe vëllai i tij e familjarë të tjerë do të presin ngushëllimet për vdekjen tragjike të 4 personave nga e njëjta familje.

Trupat e pajetë u kthyen në Shqipëri menjëherë pasi në Itali përfunduan të gjitha analizat toksikologjike. Kthimi i tyre në atdhe u bë i mundur falë një solidariteti të jashtëzakonshëm të bashkatdhetarëve shqiptarë, të cilët, përmes donacioneve në një llogari “GoFundMe” të hapur nga Durim Kola, vëllai i të ndjerit Arti Kola, arritën të mblidhnin shumën prej 75 mijë eurosh. Kjo shumë mbuloi shpenzimet e transportit të trupave dhe organizimin e ceremonisë mortore.