Kreu i PD-së, Sali Berisha, i ka bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën e thirrur nga Partia Demokratike më 20 shkurt, duke e cilësuar parlamentin aktual si “armik të egër të qytetarëve”. Berisha akuzon mazhorancën për shkelje të Kushtetutës dhe për mbrojtje të interesave të personave që ai i konsideron si të korruptuar.

“Ata janë të tmerruar, ju e shihni që 10 shkurti ua ka luajtur fiqirin këtyre dhe këta nuk dinë se ku janë dhe çfarë flasin. E vërteta është që ky parlament është në shkelje të rëndë të Kushtetutës, jo vetëm se vjen nga vota e vjedhur, por edhe sepse është shndërruar në mburojë të vjedhjes së qytetarëve. Është shndërruar në strofullën e fundit të hajdutëve shtetërore. I mbetet sovranit, i mbetet qytetarëve të thonë fjalën e tyre. Unë sot shfrytëzoj rastin edhe njëherë t’u bëj thirrje qytetarëve, 20 shkurti është dita e tyre, ky parlament është armik i egër i qytetarëve, i qenies së tyre. Qytetarë dhe qytetare, jeni ju dhe vetëm ju ata që do rivendosni Kushtetutën dhe ligjin në këtë vend”, tha Berisha.