Një tentativë grabitjeje e një banke ka ndodhur këtë të enjte në Tiranë.
Bardhyl Fusha, 58 vjeç, është personi që tentoi të grabiste bankën e nivelit të dytë tek ish-Parku i Autobusëve në kryeqytet.
Autori, me origjinë nga Librazhdi por që jeton në Tiranë, pasi është futur në institucionin financiar, ka qëlluar një herë në tokë për të trembur punonjësit e bankës në mënyrë që t’i jepnin paratë.
Pas sinjalizimit të bërë nga punonjësit e bankës, ka mbërritur patrulla e policisë e komisariatit numër dy, duke e arrestuar në flagrancë dhe duke i sekuestruar armën kallashnikov.
Për ngjarjen ka reaguar dhe policia:
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 11:15, në Rrugën e Kavajës, shtetasi B. F., rreth 58 vjeç, dyshohet se ka hyrë në ambientet e një banke, me qëllim vjedhjen e saj, duke qëlluar me armë zjarri, në dysheme. Nga të shtënat nuk ka shtetas të dëmtuar.
Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë pas marrjes së njoftimit dhe kanë bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar në tentativë për tu larguar nga vendi i ngjarjes. Autori i dyshuar është shoqëruar në Komisariat.
Gjithashtu, është sekuestruar arma e zjarrit.
Në përfundim të veprimeve hetimore do të jepet informacion më i plotë për rastin.





