SUEL dhe MARIO ÇELA
U ekstradua nga Belgjika, Mario Çela, vëllai i Suel Çelës, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Policia e Shtetit në një njoftim zyrtar sqaron se 37-vjeçarit i ishte caktuara masa e sigurisë “arrest me burg” për veprat penale “Vrasja me paramendim”, ”Organizata kriminale”, ”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe ”Korrupsioni aktiv ne sektorin privat”.
Ai u arrestua në qershor të vitit 2024 nga autoritetet italiane dhe iu dorëzua Belgjikës për një vrasje të ndodhur në Antwerp.
Në Shqipëri ai ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të SPAK në nëntor 2024, ku u godit organizata kriminale e drejtuar nga vëllai i tij, Suel Çela. SPAK në atë kohë lëshoi 21 urdhër arreste, mes të cilëve edhe Suel Çela.
Mario Çela, sikurse njoftonte Prokuroria e Posaçme, ishte një ndër anëtarët kryesorë të organizatës. Grupi i Suel Çelës u godit edhe njëherë tjetër, në korrik të vitit të kaluar, nga autoritetet italiane, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit.
Njoftimi
Policia e Shtetit/Vijon operacioni i koduar “The Wanted”, për lokalizimin dhe nxjerrjen përpara drejtësisë, të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe homologëve të tyre në Belgjikë, gjatë fazës së radhës të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizua procedura për ekstradimin nga Belgjika, në Shqipëri, të shtetasit:
M. Ç., 37 vjeç, lindur në Elbasan.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 22.11.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, ”Organizata kriminale”, ”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe ”Korrupsioni aktiv ne sektorin privat”.





