SPAK do të marrë në dorë hetimet për atentatin e bujshëm pranë aeroportit të Rinasit, më 11 nëntor 2025.
Prokuroria e Tiranës ia ka kaluar kompetencat Prokurorisë së Posaçme AntiKorrupsion pasi ngjarja është kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Tanimë do të hidhet shorti që të përcaktohet prokurori që do merret me çështjen.
Kujtojmë se prej atentatit mafioz, mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani alias Sheqeri. Ky i fundit drejtonte makinën me të cilën lëvizte Gilmando Dani, i cili mbeti i vrarë në vend nga breshëria e plumbave të armëve të zjarrit.
Shaljani i cili rezultoi se ishte agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), ndërroi jetë në spital, disa ditë pas atentatit.
Aq shumë u qëllua në drejtim të makinës ku ndodheshin ata, sa plumbat dëmtuan edhe një hotel që ndodhej aty pranë.
Ndonëse mbeti viktimë e atentatit, Muçi Shaljani nuk ishte objektivi i vrasësve. Hetuesit dyshojnë se shënjestër ishte miku i tij, Gilmando Dani, me të cilin 40-vjeçari u qëllua sapo u kthyen nga një vizitë disa ditore në Barcelonë.





