Humbja e jetës në mënyrë tragjike të një punëtori 50-vjeçar në Berat ditën e djeshme, teksa ishte duke rikonstruktuar një banesë, i ka kushtuar arrestimin 2 personave që e kontraktuan atë për punimet.
Burime zyrtare njoftuan sot (13 shkurt) se u ndaluan E.Z., 40 vjeç dhe L.T., 43 vjeç, për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë. Viktima është Pëllumb Mollaj.
“Në vijim të informacionit të dhënë mesditën e djeshme, për shtetasin P. M. që humbi jetën dyshohet si pasojë e rënies aksidentale, nga skela, informojmë se në vijim të veprimeve procedurale në lidhje me këtë rast, shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat arrestuan në flagrancë shtetasit E. Z., 40 vjeç dhe L. T., 43 vjeç, për veprën penale “shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, bëri me dije Policia e Beratit.
Nga verifikimet rezultoi se “të arrestuarit kishin nënkontraktuar Mollajn për rikonstruktimin e një banese në lagjen “Uznovë”.
Ngjarja ndodhi dje, pasi ka rënë nga skela teksa rikonstruktonte një banesë, rreth orës 11:00. Ngjarja dyshohet aksidentale.





