Analiza e ADN-së ka hedhur dritë përfundimtare mbi rastin e rëndë të abuzimit seksual ndaj një 12-vjeçareje në Pogradec. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se materiali gjenetik i fetusit është përputhur me atë të 67-vjeçarit Rushan Selko, i dyshuar si autor i ngjarjes. Rezultati i ekspertizës konsiderohet provë kyçe në hetim, duke forcuar akuzat ndaj tij.
Ndërkohë, Gjykata e Korçës ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për 67-vjeçarin, i cili akuzohet për përdhunimin dhe lënien shtatzënë të të miturës. Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe ka zgjatur mbi dy orë. Mësohet se i pandehuri nuk e ka pranuar akuzën.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në muajin gusht, në banesën e 67-vjeçarit në fshatin Piskupat, në bashkinë e Pogradecit. Sipas hetimeve, ai ka abuzuar seksualisht me fqinjën e tij të mitur dhe e ka kërcënuar vazhdimisht që të mos tregonte për atë që kishte ndodhur.
Rasti u zbulua nga prindërit e vajzës, të cilët vunë re ndryshimet fizike tek ajo. Ekzaminimi mjekësor konfirmoi se e mitura ishte rreth 22 javëshe shtatzënë. Në dëshminë e dhënë në prani të psikologut, vajza ka rrëfyer detaje të ngjarjes dhe kërcënimet e vazhdueshme.
Autoritetet kanë theksuar se çështja po trajtohet me prioritet maksimal, si për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ashtu edhe për garantimin e mbështetjes mjekësore dhe psikologjike për të miturën. Për shkak të moshës dhe gjendjes shëndetësore, mjekët kanë vendosur që ajo t’i nënshtrohet ndërprerjes së shtatzënisë. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit.





