Ministria e Punëve të Jashtme ka dhënë detaje në lidhje me operacionin që u krye për riatdhesimin e Eva Dumanit, e cila prej 12 vitesh qëndronte në kampin Al-Hol të Sirisë.
Përmes një reagimi në X, ministria bën me dije se operacioni është kryer në bashkëpunim mes institucioneve shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë. Ministria thotë se operacioni ishte i shtrirë në kohë.
Më tej, ministria thekson gadishmërinë “për t’ju përgjigjur në çdo rast, nevojave apo situatave që ndikojnë shtetasit shqiptarë kudo që ata ndodhen”.
“Në përgjigje të interesit të mediave, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, informon se falë koordinimit dhe bashkëveprimit midis disa institucioneve të shtetit shqiptar, përfshirë MEPJ përmes përfaqësisë diplomatike të vendit në Turqi, është realizuar me sukses operacioni për kthimin në Shqipëri të shtetases E.D, e cila gjendej prej disa vitesh në një kamp të Sirisë.
Operacioni i shtrirë në kohë u mundësua me mbështetjen e partnerëve tanë, në veçanti me kontributin e autoriteteve turke të cilat i falenderojmë për bashkëpunimin në këtë rast sensitiv.
MEPJ rikonfirmon gatishmërinë dhe vullnetin për t’ju përgjigjur në çdo rast, nevojave apo situatave që ndikojnë shtetasit shqiptarë kudo që ata ndodhen përtej kufijve.”, njofton ministria.
Eva Dumani mbërriti paraditen e sotme, 14 shkurt, në aeroportin e Rinasit, pas transferimit nga Turqia. Në një mision të mëparshëm, e reja kishte refuzuar që të largohej nga kampi sirian, ndërsa i vëllai Endri u kthye.
Eva dhe Endri Dumani ishin përkatësisht 8 dhe 6 vjeç kur babi i tyre i rrëmbeu drejt Sirisë për t’iu bashkuar xhihadistëve në shtetin islamik. Gjyshja e tyre shkoi atje për të tërhequr fëmijët pas vrasjes së të atit, por dha shpirt e burgosur në kamp.





