Një shtetas italian është arrestuar nga policia e Durrësit në port, lidhur me skemat e mashtrimit me Call Center që u zbuluan në Tiranë pak javë më parë.
Bëhet fjalë për shtetasin italian Cosimo Notaristefano, i cili është vënë në pranga në Portin e Durrësit, teksa po tentonte të largohej nga vendi.
Një muaj më parë Prokuroria e Posaçme njofoi se në pranga kanë rënë 8 persona, si dhe janë shpallur në kërkim 3 vëllezër lidhur me operacionin, ndërkohë që të paktën 28 objekte janë kontrolluar nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Policia e Shtetit.
Ndërhyrja e hetuesve më 16 janar nuk ishte e beftë. Nga veprimet e para hetimore të BKH-së, rezultoi se organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale kishin ngritur një strukturë të sofistikuar sigurie, me disa perimetra mbrojtës, duke përdorur jo vetëm kamerat filmike statike, por edhe personel civil vëzhgimi, jashtë kësaj Qendre.
Vëzhguesit nuhatën se ishin nën lupën e hetuesve dhe mbrëmjen e datës 15 janar ata boshatisën qendra e thirrjeve në kullën luksoze “Atti Toëer”, në rrugën “Ibrahim Rugova”, përballë Katedrales Ortodokse, dhe disa materiale u asgjësuan. Brenda pak orësh ky aktivitet u ringrit në godinën “Downtown One”, në Bulevardin Bajram Curri ku dhe u arrestuan në flagrancë punonjësit, të cilët kishin transportuar gjatë natës material.
Ata akuzohen se kanë mashtruar shtetas italianë dhe europianë për investime në kriptomonedhave të ndryshme.





