Gjykata kushtetuese vendosi të rihapë për gjykim, procesin për Arben Frrokun, i dënuar më herët nga drejtësia për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj.
Gjykata kushtetuese e pranoi kërkesën e Frrokut për ta rihapur procesin në kushtetuese dhe për këtë shfuqizoi një vendim të mëhershëm të 2018 shpallur ndaj të dyshuarit nga e njëjta gjykatë.
Siç raporton “Top Channel”, Arben Frroku kishte kërkuar rihapje të procesit gjyqësor dhe shfuqizimin si antikushtetues të vendimeve nr. 73, datë 29.06.2015 te ish-Gjykatës së Apelit për Krime të Renda, nr. 443, ditë 08.06.2017 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Po ashtu kishte kërkuar edhe Kthim të çështjes për rigjykim pranë gjykatës kompetente duke urdhëruar rigjykimin e saj me tjetër trup gjykues.
Arben Frroku fillimisht mori pafajësi nga gjykata e krimeve të rënda duke mos e njohur rrëfimin e dëshmitarit të mbrojtur mbi atentatin në derën e shtëpisë të komisarit Lamaj, i cili u ekzekutua barbarisht në shkurt 2013 pak ditë pasi e kishin transferuar nga detyra e shefit të komisariatit të Kombinatit në një specialist të thjeshtë.
Në Apel Frroku u dënua me burg të përjetshëm por ndërkohë ai ishte arratisur nga Shqipëria dhe u zbulua me identitet të rreme jashtë vendit. Ai ende nuk është ekstraduar.
Vendimi i Kushtetueses për rihapje të procesit u shpall ditën e djeshme.





