Ditën e sotme do të zhvillohet seanca e radhës parlamentare. Në rendin e ditës janë parashikuar një sërë çështjesh. Fillimisht pritet një interpelancë me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj kërkuar nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri.
Më pas pritet të diskutohet për tetë projektligje të rëndësishme. Mes tyre janë ato për shërbimin e jashtëm, për trashëgiminë kulturore, për akcizat, arsimin e lartë, tatimin mbi vlerën e shtuar, statusin e minatorit, etj.
Ndërkohë pritet të kalojnë edhe disa projektvendime, shumica e të cilave për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, dhe një për miratimin e planit vjetor 2026 për zbatimin e programit të statistikave zyrtare 2022-2026.
Në seancën e sotme nuk do të jetë i pranishëm kryeministri Edi Rama. Ai u nis një ditë më parë drejt Uashingtonit në përgjigje të ftesës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të marrë pjesë në themelimin zyrtar të Bordit të Paqes ku Shqipëria është një ndër shtetet themeluese.





