Një tjetër bazë prostitucioni është zbuluar në kryeqytet. Uniformat blu bëjnë me dije se dy gra nga Kazakistani janë arrestuar pasi akuzohen se ushtronin prostitucion në një apartament të marrë me qira, në rrugën “Don Bosko”.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, bazuar në informacionet e siguruara për një rast prostitucioni, kanë organizuar dhe finalizuar në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, operacionin policor të koduar ‘Foleja 5’. 

Në kuadër të operacionit u vunë në pranga shtetaset nga Kazakistani M. A., 34 vjeçe dhe A. A., 37 vjeçe, pasi nga hetimet rezultoi se ushtronin prostitucion, në një apartament që e kishin marrë me qira, në rrugën ‘Don Bosko’.”, bëhet me dije në njoftimin e Policisë.

Gjithashtu, gjatë këtij operacioni janë proceduar penalisht edhe dy persona të cilët akuzohen se kanë përfituar nga kjo veprimtari. Policia ka sekuestruar gjithashtu një shumë parash, si dhe 4 celularë.