Niveli i ujit është rritur në mënyrë të pazakontë në lagunën e Nartës. Fenomenin e ka cilësuar të tillë prifti i manastirit të Zvërnecit, Jani Tereziu, që tregon edhe disa prej shkaqeve që mund të kenë çuar në këtë situatë.
Sipas tij, bllokimi i kanalit të madh shkarkues të lagunës, i cili prej kohësh nuk po funksionon siç duhet për të larguar ujin drejt detit, por edhe reshjet e shumta të shiut mund të kenë ndikuar në rritjen e nivelit të ujit
“Është një situatë që nuk e kemi parë më parë në këto përmasa. Uji nuk ka dalje dhe për pasojë ka dalë nga shtrati, duke përmbytur sipërfaqe të tëra”, u shpreh Jani Terziu, administrator manastiri “Fjetja e Shën Mërisë” në Zvërnec, të Vlorë.
Banorët kërkojnë masa urgjente për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës dhe dëme të tjera në zonë.
Ndërkohë, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë, Orges Feimi, bëri të ditur se specialistët kanë zhvilluar inspektime gjatë ditës së djeshme dhe paradites së sotme për të verifikuar gjendjen e monumentit dhe strukturave përreth.
Ai theksoi se janë kryer vlerësime teknike për të evidentuar dëmet dhe për të parandaluar rreziqe të mundshme në vijim. Situata po trajtohet në bashkëpunim me Kishën Autoqefale, Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe me mbështetjen e bashkisë, me qëllim hartimin e një projekti të përbashkët për ndërhyrje afatgjatë dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nga fenomene të ngjashme natyrore.
Ndërkohë që edhe bregdeti i Orikumit mbrëmjen e djeshme pati një situatë të pazakontë ku deti hyri në tre oborre banesash si dhe në rrugë. /TCH





