Pas suksesit të rëndësishëm ndaj Bylis, Teuta ka kthyer menjëherë fokusin te sfida e radhës në kampionat, përballë Tirana. Ky takim është edhe një përballje “ish”-ësh, ku më të shumtë janë te Teuta dhe njëri prej tyre është edhe Ardit Toli, por që nuk do të luaj në këtë sfidë, pasi është i pezulluar nga kartonët. Ardit Toli analizon fitoren e fundit të durrsakëve ndaj Bylisit, gjendjen e skuadrës dhe pritshmëritë për një nga përballjet më të forta të javës.

Ardit, sa e rëndësishme ishte për Teutën fitorja ndaj Bylisit?

Ishte një fitore me shumë peshë për ne, jo vetëm për tri pikët, por edhe për moralin e skuadrës. Vinim nga një moment ku kishim nevojë për reagim dhe e treguam në fushë. Ekipi luajti me përqendrim maksimal, me karakter dhe me dëshirë nga minuta e parë deri në fund. Kjo na jep më shumë besim për vazhdimësinë.

Si e vlerëson paraqitjen e mesfushës në këtë takim?

Mendoj se mesfusha funksionoi shumë mirë si repart. Qarkulluam topin me qetësi, fituam duele të rëndësishme dhe ndihmuam jo vetëm fazën sulmuese, por edhe mbrojtjen. Ishim kompaktë dhe të disiplinuar taktikisht. Janë elementë që i kemi punuar gjatë gjithë javës në stërvitje dhe është pozitive kur i sheh të reflektohen në ndeshje.

Tani vjen përballja me Tiranën. Çfarë ndeshjeje pret?

Do të jetë një ndeshje shumë e fortë dhe e luftuar. Tirana është një ekip me histori, eksperiencë dhe cilësi individuale. Por edhe ne kemi objektivat tona dhe do të përgatitemi maksimalisht. Teuta do të zbresë në fushë me mentalitet fitues, për të dhënë më të mirën dhe për të marrë një rezultat pozitiv.

Sa ndikon aspekti psikologjik pas kësaj fitoreje?

Ndikon shumë. Fitorja rrit vetëbesimin dhe forcon harmoninë brenda grupit. Kur rezultatet vijnë, atmosfera bëhet më pozitive dhe puna në stërvitje ka tjetër energji. Gjithsesi, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, sepse kampionati është i gjatë dhe çdo ndeshje ka historinë e saj.

Një mesazh për tifozët e Teutës?

Dua t’i falënderoj për mbështetjen e vazhdueshme. Janë gjithmonë pranë nesh, si në momente të mira ashtu edhe në ato më të vështira. Na japin forcë dhe motivim shtesë në çdo ndeshje. Shpresojmë t’i shpërblejmë me paraqitje dhe rezultate pozitive edhe në vazhdim.