Në fjalën e mbajtur sot në Kuvend Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali tha se Shqipëria është vendosur sot në tryezën ku merren vendime dhe shikohet si partnere. Megjithatë Spiropali pranoi që në MEPJ ka ende reflekse të shkuarës që lidhen me nepotizmin dhe mbylljen ndaj kuadrove të rinj.
Spiropali tha se është koha për një shërbim të jashtëm të ri, ndërsa bëri thirrje për votimin e projekt-ligjit në Kuvend.
“Edi Rama e ka vendosur Shqipërinë në hartën e vendeve që kanë zë, iniciativë dhe besueshmëri ndërkombëtare. Këtë s’e mohon dot as më ciniku këtu. Nga një vend që luftonte për statusin kandidat, sot jemi një vend që synojmë mbylljen e negociatave brenda vitit 2027. Nga një vend që shiheshim si problem, sot jemi një vend që shikohet si partner në çdo tryezë. Kjo është diferenca mes asaj ku ishim dhe asaj ku jemi. Por duhet ta themi hapur, ritmi i politikës sonë të jashtme, s’është ndjekur gjithmonë nga ritmi i strukturave tona shtetërore. MEPJ ka diplomatë të shkëlqyer, profesionistë të përkushtuar, por siç do institucion që vjen nga histori e gjatë totalitare dogmatike e shartuar me tranzicionin kaotik, që vjen ajo mbart ende reflekse të së shkuarës, reflekse inercie, nepotizmi, reflekse mbylljeje ndaj kuadrove të ri, reflekse të një administrate që më shumë ka qenë proceduriale se sa strategjike”, tha Spiropali.





