Një situatë e rënduar trafiku dhe me rrezik të shtuar për sigurinë rrugore është krijuar në aksin kombëtar Librazhd-Pogradec, në vendin e njohur si “Arrat e Gurrës”, ku çarjet e vjetra dhe ato të reja në trupin e rrugës janë thelluar ndjeshëm ditët e fundit.
Segmenti, që përbën një lidhje kyçe mes Lindjes dhe Juglindjes së vendit, po përballet me radhë kilometrike mjetesh në drejtim të Juglindjes, ndërsa dëmtimet e terrenit kanë detyruar autoritetet të ndërhyjnë me masa emergjente.
Sipas njoftimit zyrtar, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka marrë menjëherë masa paraprake për të shmangur aksidente të mundshme dhe për të garantuar sigurinë e përdoruesve të rrugës.
Në koordinim me Policia e Shtetit, duke nisur nga dita e sotme do të aplikohet kufizim i lëvizjes me një korsi në zonën ku ka ndodhur rrëshqitja. Do të vendoset semafor për kalim të alternuar, me qëllim disiplinimin e trafikut.
Këto masa janë konsideruar të domosdoshme për të shmangur çdo incident në një segment që, për shkak të lëvizjeve të tokës dhe çarjeve të thelluara, paraqet rrezik të shtuar për qarkullimin.
Burime zyrtare bëjnë me dije se në fazën e dytë të ndërhyrjes pritet të realizohet një korsi provizore në të majtë të trupit të rrugës, duke synuar rikthimin e qarkullimit në dy kahe dhe lehtësimin e fluksit të automjeteve.
Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve dhe banorëve të zonës për mirëkuptim dhe respektim të sinjalistikës, duke theksuar se kufizimet janë të përkohshme, por të domosdoshme për të garantuar sigurinë në këtë aks strategjik kombëtar.
Ndërkohë, situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm, teksa pritet stabilizimi i terrenit dhe rikthimi gradual i normalitetit në qarkullim.





