Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka nisur këtë të shtunë hetimin ndaj një efektivi, i cili dyshohet se ka kryer veprime të jashtëligjshme gjatë ushtrimit të detyrës, kjo pas një videoje që ka qarkulluar online.
Efektivi me inicialet R.S është pezulluar përkohësisht nga detyra, deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
“Menjëherë pas publikimit në rrjete sociale të një videoje ku pretendohet se një punonjës i Policisë Rrugore ka kryer një veprim të dyshuar të jashtëligjshëm gjatë ushtrimit të detyrës, ju informojmë se:
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në zbatim të rregullores së Policisë së Shtetit, ka pezulluar menjëherë nga detyra, deri në sqarimin e plotë të rastit, punonjësin e Policisë, inspektor R. S., me detyrë trupë shërbimi në Policinë Rrugore, në Komisariatin e Policisë Tiranë.
Gjithashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bazë të nenit 121, pika ‘d’, të Ligjit nr. 82/2024 ‘Për Policinë e Shtetit’, ka nisur procedimin hetimor.
Po bashkëpunohet me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), e cila ka nisur menjëherë kryerjen e veprimeve hetimore e procedurale, me qëllim sqarimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.”, bëjnë me dije uniformat blu.
Përmes një komunikate për shtyp, Policia e Shtetit falënderon qytetarët për sinjalizimin, ndërsa bën thirrje që të vijojnë raportimet për çdo rast abuzimi.





